Lajmi

Zbardhet projektligji për legalizimet, që prej 2006

Zbardhet projektligji për legalizimet, që prej 2006TIRANE- Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese ka miratuar dje ndryshimet në ligjin për legalizimet, i cili i hap udhë procesit të amnistimit të çdo objekti pa leje të ndërtuar pas vitit 2006. E veçanta e ndryshimeve në ligjin e ri është se krijon mundësisë për legalizimin e çdo lloj objekti pa leje të ndërtuar që nga viti 2006, qofshin këto për motive strehimi apo për motive ekonomike e tregtare. "Ky ligj zbatohet për të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, pavarësisht nëse ato kanë funksion strehimi, veprimtarie ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore, që janë ngritur dhe posedohen nga individë apo persona juridikë, të regjistruar e që veprojnë sipas së drejtës tregtare shqiptare", shkruhet në pikën 1 të nenit 2 të ligjit "Për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa Leje".
Aplikimet
Aktualisht janë deklaruar nga vetë qytetarët rreth 270 mijë ndërtime informale, ndërsa pritet të nisë fotografimi ajror për rreth 80 mijë ndërtime, të evidentuara nga Banka Botërore. 

Një prej neneve të ndryshuara të projektligjit përcakton se të interesuarit do të aplikojnë për legalizimin e objekteve pa leje (ashtu si dhe shtesave pa leje nëpër objekte të ligjshme) 45 ditë nga miratimi i ligjit. "Subjektet që posedojnë ndërtime pa leje/shtesa informale në objekte me leje, të ngritura pas hyrjes në fuqi të ligjit numër 9482, datë 3.4.2006 "Për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa Leje", të ndryshuar, duhet të paraqesin pranë drejtorive të ALUIZNI-t, brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi ekëtij ligji, kërkesë për legalizim sipas formularit-tip të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t", shkruhet në projektligj. Sipas kreut të ALUIZNI-t, Ardian Kollozi, projektligji legalizon pothuajse gjysmën e Shqipërisë, që aktualisht është informale. 

Objektet pranë rrugëve
Një prej ndryshimeve të rëndësishme që propozon projektligji ka të bëjë me distancën e ndërtimeve nga rrugët nacionale, gjë që ngjalli edhe debate mes deputetëve në komision. Me ligjin aktual, ndërtimet që janë në distancë më pak se 100 metra nga rrugët kombëtare nuk legalizohen, ndërsa ndryshimet parashikojnë shkurtimin e kësaj distance në 25-30 metra. Deputetet e majtë kundërshtuan shkurtimin e kësaj distance, duke theksuar se ky legalizim masiv ka faturë të lartë financiare, pasi nëse parashikohet zgjerim rruge, shpronësimet do të kenë koston më të madhe. Deputeti socialist Eduard Shalsi e ka cilësuar draftin në fjalë si tallje me qytetarët shqiptarë, pasi sipas tij, bëhet për efekte elektorale.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Article source: http://www.balkanweb.com/notizia.php?IDNotizia=130065

Leave a Response

Tags

Back to Top