Lajmi

Sondazhi i PS për zgjedhjet: Ne 72 deputetë, PD 54

Sondazhi i PS për zgjedhjet: Ne 72 deputetë, PD 54TIRANE- Partia Socialiste pretendon të fitojë rreth 72 deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit, sipas një sondazhi të kryer nga strukturat e saj. Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, kreu socialist, Edi Rama ka informuar anëtarët me rezultatet e një sondazhi të bërë një javë më parë nga Partia Socialiste.

PS ka bërë një ndarje të re zonash, në bazë të ndryshimit të fundit bërë nga KQZ, për të testuar mbështetjen që ekziston për të në rang vendi. Kështu, kryetari socialist, Edi Rama informoi se rezultati është pozitiv në Tiranë: 17 deputetë, nga 33 mandate që janë në gjithë qarkun. Sipas sondazhit të bërë nga PS, vihet re barazim rezultati me PD-në në qarqet e Elbasanit apo të Durrësit, në Dibër e Kukës. Shkodra mbetet ende një bastion i PD-së, siç rezulton edhe nga sondazhi i socialistëve. Nga rezultatet e asaj që ka informuar Rama, edhe forca e re politike e drejtuar nga Bamir Topi rezulton me një mandat në Tiranë e në Gjirokastër, megjithatë, këto mbeten rezultatet e një sondazhi që bëhet gati 5 muaj para ditës së zgjedhjeve. Sipas këtij testimi të drejtuesve socialistë nëpër 12 qarqet e Shqipërisë, PD-së këtë herë i rezultojnë të marrë rreth 54 mandate deputetësh. 

PROBLEMET 
Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare kanë raportuar edhe sekretarët Blendi Klosi, Bashkim Fino, Fatmir Xhafaj, Damian Gjiknuri, si edhe kreu i Asamblesë, Gramoz Ruçi e kreu i PS-së për Tiranën, Saimir Tahiri. E përmendur edhe nga vetë Rama, por edhe nga sekretarët, rezultojnë të jenë deri më tani rreth 21 mijë dublime në listat e zgjedhësve vetëm në Tiranë, kjo për shkak të lëvizjeve nga rrethet drejt Tiranës ose e kundërta. Po kështu, një shifër jo e vogël e raportuar edhe për qytetin e Gjirokastrës është 540 votues të vdekur, që rezultojnë si votues në zgjedhjet e 2013-ës. Sekretari për zgjedhjet, Damian Gjiknuri ka informuar Asamblenë për çështjen e ndarjes së mandateve. Ai tha se PS nuk do ta njohë këtë ndarje nëse ajo është në kundërshtim me ligjin, pra nëse ndarja bëhet sipas zgjedhjeve të 2009-ës. Gjiknuri informoi se PS kërkoi informacion nga KQZ në lidhje me rritjen e popullsisë në qarkun e Kukësit. Sipas Gjiknurit, ndarja e mandateve duhet të bëhet sipas informacioneve të vitit 2012. Nga ana e tyre, edhe sekretarët e tjerë janë informuar për ecurinë e procesit të censusit, në bazë të mbulimit që gjithsecili i ka bërë territorit, ndarë në qarqe. Fatmir Xhafaj, përgjegjës për veriun, mësohet të ketë kritikuar punën e dobët të kreut të PS-së në Shkodër. Në fund ka raportuar edhe kreu i PS-së për Tiranën, Saimir Tahiri, i cili mësohet të ketë thënë se në Tiranë ka filluar fushata tashmë. Po ngrihen shtabet elektorale, ndërkohë që të zgjedhurit socialistë po trokasin derë më derë, për të fituar më shumë se 17 deputetë në qark.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Article source: http://www.balkanweb.com/notizia.php?IDNotizia=118171

Leave a Response

Tags

Back to Top