Lajmi

Itali, dënohen në mungesë 8 shqiptarë për përdhunime e tortura

Itali, dënohen në mungesë 8 shqiptarë për përdhunime e torturaROMË-Tetë shqiptarë janë dënuar me nga 16 deri në 20 vjet burg në mungesë pasi akuzohen për përdhunimin, torturën dhe detyrimin e ndërprerjes së shtatzënisë në dëm të disa prostitutave. Shtetasit Nderim Salliu, Gëzim Gaxhja, Gëzim Bullari, Marko Kosta, Adrian Kosta, Armand Aliu, Artan Aliu e Adriatik Suli, që në bashkëpunim me të tjerë italianë e shqiptarë që janë kapur e gjyqet e të cilëve janë mbyllur më parë, kanë kryer veprat penale të shfrytëzimit të prostitucionit, përfshirë atë të të miturve, të mbajtjes në skllavëri, të sekuestrimit të personit, të favorizimit të emigracionit klandestin dhe të dhunës seksuale.

Episodet për të cilat ata janë dënuar dje kanë ndodhur në vitet 1997-2002 në Latina, Sezze, Perugia, Frosinone dhe Sparanise. Sipas akuzës, disa vajza, të gjitha të reja në moshë, shqiptare, maqedonase, moldave dhe rumune, janë torturuar pa mëshirë, janë përdhunuar dhe janë detyruar të dështojnë me ndihmën e një gjinekologu të Latinës.

Gjykatësit për krimet e rënda të Latinës ka pranuar shumë nga akuzat e prokurores Eleonora Tortora duke dënuar në mungesë të tetë shqiptarët, Nderim Salliu, Gëzim Gaxhja, Gëzim Bullari, Marko Kosta, Adrian Kosta, Armand Aliu, Artan Aliu e Adriatik Suli.

(d.b/BalkanWeb)

Article source: http://www.balkanweb.com/notizia.php?IDNotizia=119544

Leave a Response

Tags

Back to Top