Lajmi

Fëmijët rom, Save the Children: Kusht jo vetëm për BE, shteti të respektojë të drejtat njerëzore

TIRANË- Organizatat e Shoqërisë Civile u bëjnë thirrje autoriteteve të zbatojnë të drejtat themelore të njeriut të komunitetit Rom. Nëpërmjet një deklarate të shpërndarë për mediat organizatat shprehin shqetësimin për mbi dyzet familje nga komuniteti Rom i Tiranës, prej të cilëve 88 fëmijë, janë duke jetuar në strehime të përkohshme në trotuare pas dëbimit nga vendbanimi i tyre joformal, tek ish ndërmarrja e ‘Dekorit’ në Rrugën e Kavajës.

“Ky komunitet gjendet në një situatë tejet delikate pasi kushtet e tij shëndetësore dhe higjienike përkeqësohen nga dita në ditë. Fëmijët dhe komuniteti në përgjithësi janë të ekspozuar në mënyrë të vazhdueshme ndaj rrezikut të trafikut të rënduar rrugor. Komuniteti Rom në fjalë është duke jetuar në kushte të patolerueshme dhe jonjerëzore. Autoritetet bashkiake dhe shtetërore duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të gjetur zgjidhje të shpejta dhe për të përmbushur të drejtat themelore të njeriut të këtij komuniteti”, theksohet në deklaratën e shpërndarë nga Save the Children.

Duke iu referuar debatit të hapur në media, raporti thekson se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për sigurimin e asistencës, shërbimeve apo mbështetjes për këtë komunitet, teksa i bën apel shtetit që të sigurojë burime njerëzore dhe financiare për t’i garantuar komunitetit Rom barazi dhe përfshirje sociale, jo vetëm që të përmbushë një nga kriteret e BE-së, por dhe si detyrim për mbrojten e të drejtave dhe lirive njerëzore.

“Kudo në Shqipëri, komunitetet Rome jetojnë në situata sociale dhe ekonomike shumë të vështira. Shteti duhet të caktojë burime njerëzore dhe financiare për t’i garantuar komunitetit Rom barazi dhe përfshirje sociale dhe për të zbatuar plotësisht Planin Kombëtar të Veprimit për Romët. Ky veprim është i nevojshëm jo sepse Shqipëria dëshiron të përmbushë kriteret për hyrjen në BE, por sepse, si një vend me një shoqëri demokratike, ajo duhet të garantojë përmbushjen e të drejtave njerëzore, sociale dhe ekonomike të të gjithë qytetarëve të saj. Anëtarët e komunitetit Rom janë qytetarë shqiptarë si të gjithë të tjerët dhe shteti duhet të mbështesë të drejtat e tyre, t’ju mbrojë dinjitetin, të promovojë barazinë dhe t’u garantojë një strehim të përshtatshëm si dhe kushtet sociale bazë nëpërmjet ofrimit të mbështetjes dhe shërbimeve bazike të nevojshme për ata dhe për të gjithë komunitetet e tjera në nevojë”, thuhet ndër të tjera në deklarate.  

“Një ndryshim afatgjatë për komunitetin Rom në Shqipëri mund të arrihet me një lidership të fortë nga ana e shtetit. Gjithashtu, nevojitet një bashkëpunim efektiv mes qeverisë vendore dhe qendrore, komuniteteve Rome dhe shoqërisë civile. Organizatat që punojnë me dhe për komunitetet në nevojë në Shqipëri konfirmojnë angazhimin e tyre për të bashkëpunuar plotësisht me autoritetet shtetërore të cilat duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për t’i bërë të drejtat njerëzore të komuniteteve Rome një realitet’, rekomandon Save the Children. 
(e.m/BalkanWeb)

Article source: http://www.balkanweb.com/notizia.php?IDNotizia=147267

Leave a Response

Tags

Back to Top