Lajmi

Audiencë dhe në Greqi intervista e Kristos Papas në "News 24"

Audiencë dhe në Greqi intervista e Kristos Papas në News 24Eshtë ndjekur edhe në Greqi intervista që deputeti i Agimit të Artë Kristos Papas i dha gazetarit Artur Zheji gjatë emisionit “360 gradë”, në televizionin "News 24". 

Mjaft website veçanërisht ato me orientim nacionalist, njoftuan për emisionin, madje postuan në faqet e tyre edhe linkun e "News 24" për ta ndjekur live intervistën televizive. 

Këto website e njoftuan ditën dhe orën e intervistës, duke reklamuar deklaratat e Kristos Papas, të cilat u transmetuan në spotet publicitare të emisionit. 

Kristos Papas prezantohet në këto lajme si "njeriu që është bërë shumë i njohur në Shqipëri për shkak të vizitave të tij në Vorio-Epir, por edhe për deklaratat e bëra në Parlamentin grek dhe për pyetjet e shpeshta drejtuar qeveritarëve, lidhur me çështjet e Vorio-Epirit".

Shkrimet citojnë veçanërisht deklaratat që deputeti Papas bëri në emision, lidhur me autonominë e Epirit të Veriut. “Nuk kanë fund për sfidat e Agimit të Artë, që këtë herë i tejkaloi kufijtë e Greqisë, pasi deputeti Kristos Papas u intervistua në kanalin shqiptar "News 24" dhe kërkoi autonominë e Vorio-Epirit”, thuhet në një nga websitet greke. "Për autonominë e Epirit të Veriut është në fuqi një traktat, ai ekziston dhe duhet të zbatohet”, tha deputeti.

Një tjetër website prek momentin kur Papas në intervistë kërkoi autonominë e Epirit të Veriut, ndërsa mbante në duar flamurin shqiptar të 1940-s, duke thënë se "ky flamur kishte guximin të sulmonte Greqinë”. 

Gjithashtu citohet edhe deklarata për ligjin e luftës që ekziston mes 2 vendeve. “Ligji i luftës nuk hiqet nga një deklaratë e Papulias, apo nga një deklaratë e ministrit të Jashtëm. Në thelb ne jemi ende në luftë", janë fjalitë që veçohen dhe që shoqërohen me komente nga lexuesit e shikuesit. 

Thelbi i deklaratave të Kristos Papas lidhet me ideologjinë e partisë ekstremiste Agimi i Artë, por e veçanta ishte se këto deklarata u bënë në një televizion shqiptar përpara një publiku shqiptar dhe në një vend, për të cilin deputeti ekstremist pretendon se është Greqi dhe sipas shkrimeve, "intervista mund edhe të shkaktojë një incident diplomatik mes dy vendeve".
(Balkanweb)

Article source: http://www.balkanweb.com/notizia.php?IDNotizia=118381

Leave a Response

Tags

Back to Top