Gabriel Garko vjen në Tiranë, çmenden femrat në "Facebook"

Gabriel Garko vjen në Tiranë, çmenden femrat në “Facebook”TIRANE - Ditën e hënë starton dhe edicioni i 5-të i “Dancing with the stars”. Tashmë që emrat e konkurrentëve janë zbuluar, një tjetër surprizë ka entuziazmuar publikun, sidomos femëror. Një prej meshkujve më seksi dhe më i adhuruar nga femrat, Gabriel Gargo do të jetë i ftuar në sfidën e kërcimit.

Aktori i mirënjohur Italian i ka thënë ‘po’ ftesës së producentes Holta Dulaku. Deri më tani nuk dihet ende se çfarë roli do të ketë Garko. Megjithatë një gjë është e sigurt, në një pistë kërcimi, ai patjetër që do të vallëzojë. Ndoshta fatlumja në këtë rast do të jetë moderatorja, Amarda Toska. Ashtu si ndodhi dhe para disa vitesh, ish kryetari i bashkisë, Edi Rama, pati një kërcim me prezantuesen Alketa Vejsiu. Lajmi se Gabriel Garko do të vijë në Tiranë, ka bërë që shumë femra të entuziazmohen.

Ka patur një numër shumë të lartë komentesh dhe komplimentesh drejtuar aktorit simpatik. Tashmë publiku femëror është gjithë sy e veshë duke pritur një ndër ikonat më seksi të kinematografisë italiane. Mysafiri i Holtës do të jetë në rolin e të ftuarit të nderit në mbrëmjet e kërcimit, ku me shumë gjasa do të japë dhe vlerësimin e tij për konkurrentët. Gabriel Garko përveçse në kanalet televizive italiane, është shumë i njohur dhe në Shqipëri. Telefilmat të luajtur prej tij janë ndër më të suksesshmit dhe në kanalet shqiptare. Oferta Pune portal per punesim

(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

Article source: http://www.balkanweb.com/notizia.php?IDNotizia=223789

Në burgun ku të gjithë duan të jenë homoseksualë -VIDEO

Në burgun ku të gjithë duan të jenë homoseksualë  -VIDEOSHBA-Në një burg në Los Angelos, SHBA, ekziston një pavijon ku janë të vendosur vetëm të burgosurit homoseksualë. Për t’u vendosur aty, po “luftojnë” të gjithë tjerët. 

Pavijoni nuk ka ndonjë të veçantë, as ka ndonjë përfitim më shumë në krahasim me pjesët e tjera të burgut, përveçse aty nuk ka dhunë mes të burgosurve dhe kjo e bën më të dëshirueshëm këtë vend. 

Nuk është çudi që shumë prej të burgosurve thonë se janë homoseksualë, pasi vetëm kështu administrata mund t’i zhvendosë në këtë pavion.
“Së pari i pyesim a vizitoni lokalet e natës së homoseksualëve. Nëse ata thonë po, atëherë ju kërkojmë që të përshkruajnë ndonjë prej lokaleve që kanë vizituar, apo pyesim ndonjë detaj rreth këtyre vendeve. Në këtë mënyrë e vërtetojmë se a janë homoseksualë”, thotë një prej rojeve të burgut, i cili është në krye të sigurisë dhe transferimit të të burgosurve në “krahun e homoseksualëve”. 

(a.n/BalkanWeb)

Article source: http://www.balkanweb.com/notizia.php?IDNotizia=223800

Jolie tërhiqet nga aktrimi, tani vetëm pas kamerave

Jolie tërhiqet nga aktrimi, tani vetëm pas kameraveAktorja Angelina Jolie së shpejti do të heqë dorë nga aktrimi. 

Këtë deklaratë Jolie e ka bërë për revistën “Du Jour”, ku është shprehur se dëshiron të angazhohet më tepër në prodhimin e filmave.Gjithashtu ka theksuar se nuk i ka pëlqyer kurrë të rri para kamerës. “Nuk kam qenë kurrë e përshtatshme si aktore. 

Nuk kam menduar kurrë që mund të jem regjisore, por shpresoj që jam në gjendje ta bëj. Do filloj karrierë të re dhe ndihem shumë e lumtur,”- është shprehur aktorja e njohur hollivudiane. 

(a.n/BalkanWeb)

Article source: http://www.balkanweb.com/notizia.php?IDNotizia=223824

Prishtinë, thyhen xhamat e zyrave të LDK-së

Prishtinë, thyhen xhamat e zyrave të LDK-sëPRISHTINE –Thyhen xhamat e zyrave të degës së LDK-së në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë.

“Rasti është raportuar sot në mëngjes dhe të gjitha njësitet përgjegjëse policore menjëherë i janë përgjigjur vendit të ngjarjes për të kryer vend shikimin e vendit të ngjarjes”, - bëri të ditur Policia e Kosovës.

Mësohet se njësitet policore janë duke kryer hetime intensive lidhur me zbardhjen e ngjarjes, ku përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.

(er.nu/BalkanWeb)

Article source: http://www.balkanweb.com/notizia.php?IDNotizia=223814

Jonuz Hasani i Republikanëve kalon në LDK

Jonuz Hasani i Republikanëve kalon në LDKKOSOVE-LDK-ja në Gjilan ka mbajtur konferencë për media, ku njoftoi se këshilltari komunal Jonuz Hasani deri tani nga radhët e Repulikanëve, tashmë zyrtarisht kaloi në LDK.

Në një komunikatë për media thuhet se Hasani u deklarua se me vullnet të plotë dhe pa asnjë presion nga askush, iu bashkangjit Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Gjilan.

Ai tha se tërë aktivitetin e tij politik do ta zhvilloj tash e tutje në LDK.

“Jam i sigurt se LDK Dega në Gjilan, do të më japë hapësirë të mjaftueshme që t’i zhvilloj aktivitetet e mia. LDK është e vetmja shpresë për të ardhmen e këtij vendi”, tha ai.

Në këtë konferencë të pranishëm ishin edhe Shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Gjilan, Avdyl Aliu si dhe zëdhënësja e Degës së LDK-së në Gjilan Saranda Bllaca.

Aliu ka se kalimi i Hasanit në LDK dëshmon se LDK-ja është parti serioze.

Ai tha se Hasani ka treguar me këtë rast besim në LDK dhe ne programin e saj, besim që paraqet vlerë të lartë dhe të çmuar.

“Rritja e LDK-së po vazhdon, besojmë në qëllimin e mirë të kësaj rritje dhe se me këtë rritje LDK po forcohet. Sa më e fortë LDK, aq më e fortë edhe shpresa, sikur te ne, po ashtu edhe te qytetarët e Komunës së Gjilanit, për jetësimin e programit tone. Tash e tutje, më kënaqësi e paraqes dimensionin e ri të LDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit. Pra LDK në Kuvendin Komunal të Gjilani numëron 14 këshilltarë dhe se presim edhe ardhje të reja në vazhdim”, ka thënë Aliu.

(a.n/kosovapress/BalkanWeb)

Article source: http://www.balkanweb.com/notizia.php?IDNotizia=223819

Jahjaga në Emiratet e Bashkuara, merr përkrahje për kirurgjinë e fëmijëve

Jahjaga në Emiratet e Bashkuara, merr përkrahje për kirurgjinë e fëmijëveKOSOVE-Kosova, së shpejti do të ketë qendrën kirurgjike të fëmijëve dhe departamentin për trajtimin e kancerit të fëmijëve në kuadër të QKUK-së. Këtë projekt do e përkrahë nëna Mbretëreshë e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikja Fatima bint Mubarak.

Konfirmimin ia dhanë presidentes së vendit, Atifete Jahjaha e cila u takua me një delegacion të Fondacionit të Shkëlqesisë së Saj, Sheikës Fatima bint Mubarak, nënës Mbretëreshë të Emirateve të Bashkuara Arabe, nga i cili pranoi njoftimin për përkrahjen e Shkëlqesisë së Saj.

Presidentja Jahjaga e falënderoi Shkëlqesinë e saj për përkrahjen dhe përkujdesjen e saj dhe familjes mbretërore të Emirateve të Bashkuara Arabe për qytetarët e Kosovës dhe mirëqenien e tyre, duke theksuar se ky vazhdim i bashkëpunimit është simbol i marrëdhënieve shumë të mira bilaterale dhe miqësisë mes dy vendeve dhe dy popujve.

Projekti i ndërtimit të qendrës për përkujdesjen e fëmijëve pritet që të lansohet në një vizitë zyrtare nga një delegacion i lartë i Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë muajit dhjetor.

Presidentja Jahjaga po qëndron në Emiratet e Bashkuara Arabe me ftesën e Princit të Kurorës, Sheikut Mohammed bin Zayed bin Sultan Al Nahyan.

(a.n/kosovapress/BalkanWeb)

Article source: http://www.balkanweb.com/notizia.php?IDNotizia=223823

Meta: Paketa e re fiskale stimulon zhvillimin e komplekseve blegtorale

Meta: Paketa e re fiskale stimulon zhvillimin e komplekseve blegtoraleLEZHE-Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vizitoi kompleksin blegtoral në Torovicë të Qarkut të Lezhës që administrohet nga Martin Gjergji.
Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga Zv/ Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Alban Zusi, deputetë të grupit parlamentar të LSI-së të Qarkut të Lezhës, Kryetari i Bashkisë së Lezhës si dhe përfaqësues të drejtorisë rajonale të bujqësisë. 

Meta u njoh më nga afër me investimin e kryer në këtë kompleks blegtoral me 250 gjedhë, një investim modern që pritet të rrisë në të ardhmen edhe kapacitetet përpunuese të qumështit bazuar mbi teknologjinë më të avancuar të kohës. 

Gjatë bashkëbisedimit, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta garantoi se mbështetja shtetërore do të jetë gjithmonë për ata që do të investojnë në bujqësi dhe në blegori. Meta theksoi se paketa e re fiskale stimulon në mënyrë të veçantë zhvillimin e komplekseve të tilla blegtorale duke ulur ndjeshëm kostot. 

“Për mua është një kënaqësi e veçantë që vizitoj një kompleks të tillë blegtoral, plot ambicie për të ardhmen. Mbi të gjitha, jam shumë i kënaqur që shoh këtu që po ndërtohet edhe një baxho mjaft moderne me teknologjinë më të avancuar për ta mbyllur të gjithë ciklin e prodhimit e të përpunimit brenda këtij kompleksi. Do të rrisë dhe do të motivojë akoma më shumë drejtuesit e këtij kompleksi për të zgjeruar, për të hyrë në treg në mënyrë të sigurt dhe të suksesshme dhe me produkte mjaft konkurruese sikurse u shpjegua këtu dhe sikurse do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Paketa e re fiskale stimulon në mënyrë të veçantë zhvillimin e komplekseve të tilla blegtorale, pasi ajo ul në mënyrë të ndjeshme kostot, sidomos sa i takon kostos që ndikon në përmirësimin e rracës këtu në vend për të rritur prodhimin dhe për të shkuar drejt atij objektivi, i cili ka të bëjë jo vetëm me reduktimin e importeve që janë ende shumë të mëdha për produktet blegtorale në vend, por me plotësimin e të gjitha kërkesave të tregut vendas dhe njëkohësisht me fillimin e eksportimit të produkteve shqiptare blegtorale në tregjet ndërkombëtare”, theksoi z. Meta.

Kryetari i Kuvendit kërkoi prej Ministrisë sëZhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujravedhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore që të informojnë ata që duan të investojnë në bujqësi dhe në blegtori për lehtësirat fiskale dhe për mundësinë e zhvillimit dhe të rritjes më të shpejtë tëkëtij sektori që do të ndikojë edhe në rritjen e punësimit. 

“Natyrisht që është një detyrë e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, AZHBR-së dhe e të gjithë përfaqësuesve të këtij sektori për të informuar fermerët tanë, të gjithë atatë cilët merren me komplekse të tilla blegtorale apo kanë synime për të bërë të tilla investime në këtë fushë, për të gjitha avantazhet dhe të gjithë mbështetjen që do të kenë në mënyrë që të ecin në rrugën e rimëkëmbjes së bujqësisë, në rrugën e rimëkëmbjes së blegtorisë, në rrugëne plotësimit të të gjithë kërkesave të tregut vendas për këto produkte, edhe njëkohësisht në rrugën e punësimit dhe të mirëqenies së të gjithë shoqërisë në vend”, tha z. Meta.

Zv/ Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Alban Zusi prezantoi disa prej risive të paketës së re fiskale që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në fushën e blegtorisë. 

Alban Zusi deklaroi se në paketën e re fiskale çmimet e referencës së produkteve që vijnë nga jashtë rishikohen totalisht duke shkuar te çmimi real. Zv/ Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave tha se në të njëjtën kohë është hequr taksa doganore për ndërzimet artificiale dhe materialin gjenetik elitar që vjen nga jashtë dhe që deri tani taksohej me 10 për qind të taksës doganore. 

“Paketa e bujqësisë dhe paketa fiskale për blegtorinëështë një ndër më nxitëset që është realizuar ndonjëherë duke lehtësuar jashtëzakonisht shumë, qoftë barrën fiskale, qoftë barrën financiare për blegtorët të cilët janë të orientuar drejt prodhimit vendas, drejt rritjes dhe shtimit të kapacitetit të stallave, të fermave dhe të prodhimit në përgjegjësi. Në këtë kontekst, ne mund të themi se vetëm për blegtorinë ne e kemi ulur me mbi 22 për qind koston e importit të mëshqerrave dhe të bagëtive të destinuara për majmërim apo për mbarështrim. Kjo është një nxitje jashtëzakonisht e madhe pasi ne presim qënë vitin 2015 tëkemi një bum të shtimit të numrit të krerëve nëpër stallat e përqendruara, që do të thotë dhe njëkohësisht rritje e cilësisë dhe e standardeve të sigurisë ushqimore dhe zëvendësim sinjifikativ të importeve në fushën e produkteve blegtorale që sot arrijnë shifra në dhjetra milionë euro”, tha Alban Zusi. 

Gjatë bashkëbisedimit, administratori i kompleksit blegtoral në Torovicë të Qarkut të Lezhës, z. Martin Gjergji, shprehu vlerësime për paketën e re fiskale dhe për lehtësirat që ajo krijon në mbështetje të blegtorisë.
“Këto risi të paketës janë shumë të mira. Na jep kurajo që të punojmë dhe përtë bërë më shumënë këtë sektor. Jam shumë i kënaqur me paketën e re fiskale dhe me mbështetjen shtetërore”, tha Gjergji.

(a.n/BalkanWeb)

Article source: http://www.balkanweb.com/notizia.php?IDNotizia=223797

Berisha: Rama i tmerruar nga protesta, ka përgatitur për vete bunkerin e bllokut!!

Berisha: Rama i tmerruar nga protesta, ka përgatitur për vete bunkerin e bllokut!!TIRANE - Ndërsa kryeministri Rama ndodhej në ceremoninë e çeljes për publikun të bunkerit antiatomik, ish-kryeministri Sali Berisha ironizoi aktivitetin me një postim në rrjetin social “Facebook”, duke shkruar se Rama ka hapur bunkerin e bllokut sepse është i tmerruar nga protesta mbarëpopullore.

“Rama i tmerruar nga protesta ka përgatitur për vete dhe klikën bunkerin e bllokut!! Rama Ik! Ik! Ik! Rama shporru! Shporru! Shporru!!”- shkruan Berisha.

(er.nu/BalkanWeb)

Article source: http://www.balkanweb.com/notizia.php?IDNotizia=223806

Çelet bunkeri antiatomik, Rama: Se fshehim më të shkuarën, do hapim dosjet

Çelet bunkeri antiatomik, Rama: Se fshehim më të shkuarën, do hapim dosjetTIRANË-Kryeministri Edi Rama ka çelur sot për publikun ekspozitëm video-muzeale “Bunk Art”, një bunker pesëkatësh i ndërtuar nga ish diktatori Enver Hoxha, ku ishin vendosur zyrat dhe banesat e udhëheqësve të lartë komunistë nga ku do të drejtonin dhe vendin gjatë kohës së sulmit të imagjinuar bërthamor.  

I shoqeruar nga ministra te kabinetit, Rama në rolin e ciceronit u tregoi me radhë ambientet e veçanta Brenda bunkerit, dy ambasadorëve, atij Amerikan Aleksandër Arvizu dhe ambasadorit Italian Masimo Gajani. Bunkeri me 106 zyra ndodhet në periferi të Tiranës pranë Batalionit Mbështetës të Shtabit të Përgjithshëm, në rrugën e “Shish-Tufinës”, 1.5 km larg qendrës spitalore "Nënë Tereza". 
BunkArt
Më tej Rama theksoi se hapja e bunkerit të nëndheshëm shënon një fazë të re të marrëdhënieve me të shkuarën ku sipas tij nuk rishkruhet historian por ekspozohet e shkuara e vendit.

"Ne i përkasim asaj shkolle të re për Shqipërinë që nuk ja fsheh publikut misteret e së shkuarës. A ka kush mundësi të më thotë se si është e mundur që kjo ngrehinë të ruhej si mister dhe ti fshihet publikut si sekret shtetëror jo vetëm nga ata që do luftonin me botën mbarë por edhe nga ata që i gënjeu mendja se e përmbysën bashkë me regjimin e vjetër edhe mendësinë e këtij regjimi. Ruajtja e këtij misteri ashtu si ruajtja e dosjeve të sigurimit të shtetit janë vazhdimësia e shkollës së vjetër politike të të sunduarit mbi tjetrin pavarësisht kostos dhe tonelatave të propagandës gënjeshtare që derdhet përditë mbi të terat. Jemi për të çelur një fazë të re raportesh me të shkuarën. Jo për të rishkruar historinë por për të ekspozuar të shkuarën. Për ti treguar gjeneratave të reja dëshmitë, skutat, imazhet, dokumente e saj si një mundësi për të inspiruar imagjinatën krijuese”- u shpreh Rama

Kryeministri Rama njoftoi më heret në faqen e tij në “facebook” hapjen e bunkerit antiatomik. “Ne 11 sot çelim për publikun bunkerin e fshehtë antiatomik të diktaturës komuniste!Çudira të vjetra e surpriza të reja në një pallat në tokë”- shkruan Rama. 

Pas hapjes se bunkerit qytetarët do të kenë mundësinë të shikojnë se çfarë infrastrukture kishte krijuar regjimi komunist i Enver Hoxhës për t’u strehuar në rast të ndonjë sulmi bërthamor.

“Njëzet e pesë vjet pas rënies së Murit të Berlinit dhe 70 vjet pas çlirimit nga pushtuesit, nën kujdesin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, çelet për herë të parë për publikun bunkeri anti-bërthamor i nomenklaturës komuniste- një pallat i kyçur në zemrën e një kodre me plot çudira të vjetra e surpriza të reja”, thuhej në lajmërimin e Kryeministrisë për këtë aktivitet.

Bunkeri është një ndërtim pesëkatësh ku ishin vendosur zyrat dhe banesat e udhëheqësve të lartë komunistë nga ku do të drejtonin vendin gjatë kohës së sulmit të imagjinuar bërthamor. Bunkeri është ndërtuar në atë mënyrë që ti bënte ballë edhe një lufte bërthamore që mund të përfshinte Shqipërinë.

Brenda tij është një shtëpi me hapësira maksimale e përshtatur për diktatorin Hoxha. Në bunkerin që përmban 106 zyra, gjendet dhoma ku do të qëndronte Mehmet Shehu, një sallë ku do të mblidhej Kuvendi i Shqipërisë në rast sulmi bërthamor, dhoma ku ishin vendosur pajisjet që do të pastronin ajrin ne rast të një sulmi me armë kimike, si dhe një bar-bufe që funksiononte në kohën kur bëheshin stërvitje ushtarake si dhe një sallë kinemaje. 
BunkArt
RAMA: EKSPOZOJME TE SHKUAREN, DO HAPIM DOSJET
Kryeministri Edi Rama e cilësoi hapjen e bunkerit të nëndheshëm të komunizmit si çeshtjen e një thesari të kujtesë kolektive. Gjatë fjalës së tij të mbajtur në sallën që do shërbente si Kuvendi i Shtetit komunist nëse do kishte një sulm bërthamor Rama theksoi se historinë nuk mund ta shkruajë politika por historianët. Ai theksoi se qeveria nuk po përpiqet të rishkruajë historinë por ta ekspozojë atë me dëshmitë që ka lënë pas. 

“S’kam fjalë për të përshkruar ndjesitë e jashtëzakonshme që më krijoi hyrja në këtë pallat nëntokësor ku regjimi komunist synonte ti mbijetonte një sulmi atomik. Para disa kohësh kur vizituam Berlinin patëm mundësinë të kalojmë në muzeun e famshëm që është një godinë e rëndomtë aty ku dikur ndahej Berlini perëndimor dhe lindor, pak metra larg murit që mbajti të ndarë dy botët e Luftës së Ftohtë dhe që mbajti të izoluar përtej horizontit të lirisë gjysmën e botës. Një godinë e rëndomtë që pret çdo vit miliona e miliona njerëz ku është e pa mundur të kesh një minutë të vetme pa prekur trupin e dikujt tjetër për nga shpejtësia e vizitorëve. Godina e një regjimi të vjetër ku përmes vet mureve të godinës, objekteve, fotografive dhe dëshmive u jepet mundësia qytetarëve të botës së lirë të krijojnë një perceptim me atë që ishte bota ku jetonin qindra miliona njerëz dhe sot është e vështirë tua tregosh me fjalë gjeneratave të reja.

Shqipëria e vogël mund të ishte një botë e tretë e izoluar nga dy botët e tjera që luftonte në mënyrë imagjinare me imperializmin amerikan dhe socialimperializmin sovjetik. Sot ne jemi dëshmitarë se kemi çelur derën e një thesari të kujtesë sonë kolektive. Një thesari ku pa as më të voglin dyshim mund të zbulohen qindra mijëra copëza të një mozaiku të madh, ngjarjesh, personazhesh, kontradiktash ku gjakderdhja ka bërë rëndom lëndën lidhëse dhe të cilin historianët dhe historia nuk na e kthjellojnë dot edhe sot. Nga një kujtesë që rëndom bëhet selektive. Çdo përpjekje qeveritare politike që niset qoftë edhe nga qëllimi më i mirë për ti dhënë fund diskutimit për historinë është e destinuar të dështojë dhe të prodhojë rrethin vicioz të një historie që nuk shkruhet dot deri në fund”- u shpreh Rama. 

Më tej Rama theksoi se qeeria ehste e vendosur te mos e fshehe me te shkuaren por ti bej publike per gjithe qytetaret te faktet qe deri tani jane mbajtur te fshehta. “70 vjet mund të jenë shumë por në këtë vend kaq të vogël ku u arrit ndërtimi i pallatit antiatomik është shumë e vështirë që mendjet e historianëve të bëjnë sintezën që koha mbase do e bëjë, por vështirë ta vendosë nën një kontekst të pa diskutuar. Përpjekjet për të rishkruar historinë me porosi qeveritare kanë qenë sa tragjike në të shkuarën e largët aq qesharake në të shkuarën e afërt. Historinë e shkruajnë shkencëtarë dhe e diskutojnë mes tyre njerëzit e shkencës së historisë nuk e shkruan as Shtëpia e Bardhë, as Kongresi, as Parlamenti Evropian. Ne i përkasim asaj shkolle të re për Shqipërinë që nuk ja fsheh publikut misteret e së shkuarës. A ka kush mundësi të më thotë se si është e mundur që kjo ngrehinë të ruhej si mister dhe ti fshihet publikut si sekret shtetëror jo vetëm nga ata që do luftonin me botën mbarë por edhe nga ata që i gënjeu mendja se e përmbysën bashkë me regjimin e vjetër edhe mendësinë e këtij regjimi. Ruajtja e këtij misteri ashtu si ruajtja e dosjeve të sigurimit të shtetit janë vazhdimësia e shkollës së vjetër politike të të sunduarit mbi tjetrin pavarësisht kostos dhe tonelatave të propagandës gënjeshtare që derdhet përditë mbi të terat. Jemi për të çelur një fazë të re raportesh me të shkuarën. Jo për të rishkruar historinë por për të ekspozuar të shkuarën. Për ti treguar gjeneratave të reja dëshmitë, skutat, imazhet, dokumente e saj si një mundësi për të inspiruar imagjinatën krijuese”- u shpreh Rama. 

Kryeministri Rama theksoi se instilacionet me dhomat autentike të shefave të regjimit të vjetër janë një dëshmi kuptimplotë e mundësisë që të krijon kjo hapësirë për të krijuar hapësira të tjera të të menduarit imagjinuarit përmes fuqisë së artit. “Këto mjedise janë trashëgimi i një kulture të jetuari që do tërheqin shumë herë më tepër turist se sa mund të tërheqë ajo shqiponja e tmerrshme që kanë vendosur te rreth rrotullimi i doganës. Një shëmbëlltyrë që është krijuar për tu vendosur në një sipërfaqe të sheshtë, vendoset në një sipërfaqe tredimensionale. Ky 70 vjetor i Çlirimit të Shqipërisë nuk është momenti për të nxituar se kush del më shumë partizan dhe as për tu ngutur kush është më shumë kolaboracionist nga ne të gjallët se asnjë nga ne nuk ka qenë partizan”- theksoi Rama.

“Dikush mund të shkruaj në Facebook u mblodhën te parlamenti se u detyruan nga protesta popullore. Me siguri një vizitë në këtë ngrehinë antiatomike do u tregoj vajzave të këtij vendi mbi diktaturën Enver Hoxhen, Mehmet Shehun dhe hordhitë anti- njerëzore dhe anti- fetare krijoi ai që u quajt çlirimi i atdheut. Ky është vetëm fillimi ka të tjera vrima, skuta, hapësira që u janë ruajtur njerëzve si sekrete shtetërorë nga ata më parë dhe ata që erdhëm më pas dhe ata që deri dje kishin mundësinë tu hapnin njerëzve në raport me të shkuarën e prekshme, arkitekturën e botës së nëndheut komunist. Kemi një projekt për të krijuar një intenerar turistik të nëndheut komunist”-përfundoi kryeministri Rama.
BunkArt
KODHELI: TE MBYLLIM NE BUNKER FANTAZMAT E TE SHKUARES

Fantazmat e së shkuarës i kemi akoma rreth nesh dhe ato duhet t’i mbyllim në këtë bunker të së kaluarës diktatoriale. Keshtu u shpreh sot ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e hapjes për publikun të bunkerit antibërthamor, i ndërtuar gjatë periudhës së komunizmit. 

Ministrja Kodheli në fjalën e saj theksoi se ky bunker është një simbol i fortë dhe për të sotmen e pasigurtë ku historia po tenton të përsërisë vetveten. “Është tronditëse kur mendon se si idealet e lirisë të Nëntorit 1944 u shndërruan në një paranojë të strukturuar totalitariste, pjesë e së cilës është dhe kjo ngrehinë”, tha Kodheli. 

29 nëntori është dita e parë e lirisë dhe e barazisë për shqiptarët e dalë nga Lufta e II-të Botërore, mundësia e madhe për të pasur në dorë fatet e veta, theksoi ministrja, por historia nuk është gjithmonë dashamirëse me popujt e vegjël, se spiralet ku u futëm për 45 vjet me radhë ishin larg idealeve të bijve dhe bijave të këtij populli, që dolën malit dhe luftuan pushtuesit. 

“U hoq dorë nga aleatët natyralë të Perëndimit dhe iu drejtuam të sforcuar stepave të Azisë sipas paranojave të një regjimi, i ngritur mbi luftën e klasave”, tha Kodheli. 

45 vjet në historinë e një kombi të lashtë si ky i yni, tha ajo, janë si 45 minuta në jetën e njeriut, megjithatë, ne nuk duhet asnjëherë të harrojmë atë kohë dhe ngrehina si kjo do na shërbejnë për t’i kujtuar vetes se respektimi i të drejtave të njeriut, demokracia dhe zbatimi i ligjit do e çojë Shqipërinë përpara. 

Në këtë çerek shekuli demokraci kemi pasur shpesh tendenca për t’u kthyer në autoritarizëm dhe fantazmat e së shkuarës i kemi akoma rrotull nesh dhe duhet që dhe ato t’i mbyllim diku pse jo dhe në këtë bunker të së kaluarës diktatoriale, përfundoi fjalën e saj ministrja e Mbrojtjes.

Bunkeri antibërthamor i ndërtuar gjatë komunizmit, në periferi të Tiranës pranë Tufinës, u hap sot për herë të parë për publikun, rreth çerek shekulli pas rënies së diktaturës. Objektet e gjetura në bunker, që do te përdoret si një atraksion turistik, janë përshtatur në një ekspozitë të titulluar “Bunk’Art”.

BunkArt
KUMBARO: JA KEMI NGJESH MALIT ME GRUSHTIN E ARTIT
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, mbështeti sot idenë e përdorimit të hapësirave të së shkuarës në funksion të krijimtarisë artistike. 

“Ripërdorimi për qëllime kulturore i hapësirave të së shkuarës dhe kujtesa jonë pa ngarkesa e pa manipulime do i shërbejë këtij koncepti. Pa asnjë kompleks ndaj së shkuarës dhe pa asnjë dilemë drejt së ardhmes europiane ne do i shprehim të lira emocionet e mendimet, ndërsa historinë do e shkruajnë shqiptarët mendjehapur të brezit tjetër”, u shpreh sot ministrja Kumbaro, gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e hapjes për publikun të bunkerit antibërthamor, i ndërtuar gjatë komunizmit.
 
Ministrja tha se ky pallat gjigand i ndërtuar në mal, e kalonte cakun e përfytyrimit. Megjithatë, tha Kumbaro, ajo që na habiti më shumë nuk ishte paranoja e diktatorit, por fakti se dhe pas rënies së diktaturës kjo hapësirë rrinte e fshehur në padijen tonë, ndërsa hapësirat e veprimit ngushtoheshin gjithnjë e më shumë, atje jashtë.
Ne si vend i vogël, shtoi ajo, nuk e kemi luksin e mospërdorimit të mjediseve që nuk i duhen më as mendjeve më të sëmura që i mbajtën mbyllur pa i përdorur për më shumë se 20 vjet pas shembjes së diktaturës. 

Ministrja theksoi se ideja që na bashkoi të gjithëve ishte krijimi i një hapësire për art e kulturë, që kërkonte sfidë, guxim e vizion. “Kjo ekspozitë është përpjekja e parë që përkon me guximin për shprehje artistike, për mendim dhe për forma jashtë klasikes”, nënvizoi Kumbaro. 

(a.n/BalkanWeb)


Berisha: Rama i tmerruar nga protesta, ka përgatitur për vete bunkerin e bllokut!!FOTO

Article source: http://www.balkanweb.com/notizia.php?IDNotizia=223791

Protesta, Basha: 200 mijë shqiptarë në shesh. Kjo qeveri është fatkeqësi, po godet pas shpine

Protesta, Basha: 200 mijë shqiptarë në shesh. Kjo qeveri është fatkeqësi, po godet pas shpineTIRANE - Përpara protestuesve të shumtë që kishin mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kryetari i PD-së Lulzim Basha i siguroi qytetarët se opozita nuk do të lejojë që qeveria t’i gjunjëzojë ata. Kreu i demokratëve i bëri thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë zërin e 200 mijë shqiptarëve dhe të mos luajë me bukën e fëmijëve të tyre. “Mos u mbyll në bunker por dil e dëgjo popullin. Nëse nuk mban premtimet largohu bashkë me qeverinë”- deklaroi Basha.

“Jemi më shumë se asnjëherë në historinë e këtij qyteti në bulevardin e shpresës, bashkimit dhe dinjitetit të shqiptarëve të lirë. Kemi ardhur të përballemi, të mbrojmë të drejtat tona, ta izolojmë të keqen dhe t’i kthehemi së mirës për këtë vend. Rama sot është futur në bunkerin e Enver Hoxhës për të mos ju shikuar ju. Eshtë futur aty se mendon se aty nuk e ndjen forcën e bashkimit të një populli të tërë. Eshtë futur në bunkerin e izolimit kryeministri që mashtroi dhe bën sikur harroi. Por ne jemi në këtë shesh që t’ja kujtojmë mashtrimet e tij dhe ta pyesim me zërin e bashkuar pse nuk qeveris por do të sundosh. Pse nuk flet, nuk i dëgjon qytetarët por i godet ata pas shpine si kaçaku i ferrës”- vijoi Basha.

Duke kujtuar premtimet e pambajtura të kësaj mazhorance, kryetari i opozitës tha se kjo qeveri po instalon reprezaljen policore, ka hapur burgjet, e ka futur vendin në krizë, ka rritur çmimet e taksat dhe u ka çuar shqiptarëve fadromat në derë.

“Kjo nuk quhet qeveri, kjo është fatkeqësi. Ne emër të gjithë shqiptarëve që ndajnë me 200 mijë shqiptarët sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” shqetësimin e thellë për të sotmen dhe të nesërmen. Shqiptarët nuk i kanë harruar dhe nuk i harrojnë për asnjë rast mashtrimet e tua, shqiptarët nuk mposhten as me shtet policor as me varfëri. Mos u fshi bunkerëve të diktaturës. Mos luaj me durimin e popullit, mos luaj me bukën e fëmijëve dhe me të ardhmen e tyre. Shqiptarët nuk i ngop dot me propagandë dhe reklama, shqiptarët të thonë sot që këtu duam punë dhe dinjitet.”- deklaroi Basha. protesta e pd

Kreu i opozitës theksoi gjatë fjalimit të tij para qytetarëve të mbledhur në shesh se nuk u pyet askush mbi buxhetin e qeveris. “Kryeministri dhe klientët e pushtetit vendosën të vetëm. Rregulluan aferat dhe punët e tyre në kurriz të popullit. Opozita, grupi ynë parlamentar, i kemi bërë thirrje qeverisë të hapë sytë dhe veshët të kthehet në realitet. Të shohë gjendjen e njerëzve dhe të vendosë në interes të të gjithëve. Kryeministri dhe oborri i tij janë të izoluar në luks, shëtisin në botë për javë të tëra. Zor se ua ndjen për hallet e shqiptarëve. Janë zhytur në delirin e pushtetit nuk janë kanë haberin problemeve halleve. Buxheti i vitit të ardhshëm kaloi në fshehtësi se qeveria ka dështuar në luftën kundër informalitetit. Dështimin po ja hedhë qytetarëve të ndershëm. Qeveria i ka nxjerrë vendin dhe qytetarët me këpucë të kuqe se ka dështuar, ka abuzuar. Qytetarët i kanë përmbushur detyrimet e tyre, është qeveria ajo që nuk i ka përmbushur detyrat e saj. Qytetarët kanë dhënë ç’kanë mundur por nuk kanë marrë çfarë kanë merituar.”- u shpreh Basha.

Më tej ai theksoi se vendi është në gropë dhe gropën e ka krijuar qeveria. “Vendi është në recesion dhe recesionin e ka shkaktuar qeveria. Dhe thonë, zgjidhe ti o popull, zgjidhe duke shtrënguar rripin, zgjidhe duke sakrifikuar më shumë. Pjesën e luanit e marrin shpenzimet qeveritare, luksi qeveritar, fryrja e organikave ku punësohen militantët e qeverisë, fryrja e shtetit policor. Rritja e taksave nuk është zgjidhje. Asnjë vend i botës nuk është ngritur me rritjen e taksave dhe akcizave, me pasurimin e klientelës politike. Me këtë buxhet nuk ka punësim për të rinjtë e të rejat, nuk ka dëmshpërblime reale për ish të përndjekurit. Me bindje se po afro një varfëri e madhe dhe rënie ekonomike më e madhe i kërkoj qeverisë Rama- Meta mos e bëj më të vështirë jetën e shqiptarëve, mos e rrit çmimin e energjisë elektrike, mos i rrit taksat mos i rrit akcizat e karburantit, mos i rrit të ardhurat e tatimeve, por uli shpenzimet qeveritare. Mos i jep oligarkisë paratë që i merr popullit e qytetarëve. Boll se nuk mban më! Hiq dor para se të jetë vonë!”- u shpreh Basha.

Basha theksoi se opozita nuk i përkrah ndërtimet paleje por sipas tij asnjë gjë nuk duhet të prishet pa u diskutuar. Ai i bëri apel qeverisë që të zbllokojë ndërtimet dhe të zbatojë planet urbanistike. “Ne jemi për një shtet të ligjit. Ne i njohim detyrimet tona. Ne nuk kemi thënë kurrë që qytetarët mos përmbushin detyrimet por jemi të bindur të paguajmë shtetin me taksat tona por kemi të drejtën të dimë ku shkojnë taksat tona të dimë pse është bërë më keq kur kemi paguar më shumë. Asnjë në këtë bulevard, asnjë në këtë shesh nuk ka dal se është kundër detyrimeve ligjore, apo se ka diplomë false, apo se do të ndërtojë pa leje. Cinizmi i kryeministrit është fyerje për qytetarët. Ne kemi dalë se duam drejtësi. Ndërtimet pa leje nuk kanë pasur e nuk kanë për të pasur mbështetjen tonë. Ne nuk do rrimë indiferentë ndaj shkatërrimit të paligjshëm të pasurive të njerëzve të thjeshtë. Shteti duhet të jetë i pabarabartë për të gjithë. Besimi tek institucionet është çelësi. Asnjë gjë nuk mund të prishet pa u diskutuar. I bëjmë apel qytetarëve të ndërtojnë vetëm me leje dhe institucioneve të shtetit të respektojnë planet urbanistike dhe të hapin ndërtimet. Ne protestojmë edhe për gjendjen e arsimit mungesën e vizionit dhe tarifat e larta.

Jemi pranë gjithë studentëve dhe familjarëve. Jemi pranë studentëve dhe qyteteve që i privuan nga e drejta për arsim. Diplomat false i kanë ngritur në piedestal qeveria Rama –Meta. Në Kukës, Vlorë, Korçë i tregojë me gisht drejtorët me diplomë false të emëruar nga Partia Socialiste. Kërkesa jonë është jo rritje të tarifave, rihap universitetet! I bëjmë thirrje Edi Ramës dhe Ilir Metës larg duar nga pedagogët larg duar nga mësuesit. Dil nga bunkeri dhe dëgjoi qytetarët”- u shpreh kreu i PD-së. Lulzim Basha

Basha i kërkoi qeverisë të zbatojë kontratën që sipas tij ka firmosur me qytetarët në zgjedhjet e 23 qershorit, në të kundërt të largohet nga qeveria. “I them Edi Ramës e Ilir Metës lëreni historitë e Nastradinit, lëreni adhurimin për Enver Hoxhës. Shkunduni! Hapini veshët! Dëgjoni! Keni detyrimet sipas kontratës të hapni 300 mijë vende pune, të siguroni shëndetësi falas. Kur e merr gjithë pushtetin do mbash të gjitha përgjegjësitë. Kontrata me shqiptarët është e shenjtë, nuk mund të luani me shqiptarët. Kur nuk përmbush kontratën nuk largohet qytetari, por jepet dorëheqja ose rrëzohet qeveria. Ne nuk do pranojmë qeverinë e mashtrimit, ne do ju largojmë”- u shpreh Basha.

Fjalimi i Lulzim Bashës mbylli protestën e 22 nëntorit dhe lajmëroi vijimin e asaj që e quajti luftë për të drejtat e shkelura të qytetarëve. 
“Nuk do të pushojmë së luftuar për të drejtat e shkelura të qytetarëve shqiptarë. Këtu na keni sot nesër, javën e ardhshme, muajin e ardhshëm derisa të plotësoni kushtet e kontratës tuaj me qytetarët. Mos të të gënjejë mendja se mund t’ia hedhësh duke u marrë me zërin tim, zëri im është zëri i protestës, i qytetarëve shqiptarë, është zëri i drejtësisë. Të gjithë në këmbë, të gjithë të bashkuar, të gjithë në një mendje për të drejtat tona, për të shpëtuar vendin”- deklaroi Basha.

QYTETARËT MBUSHEN SHESHIN PËRPARA KRYEMINISTRISË: 'DUAM PUNË E DINJITET'Protesta e Pd
Qytetarë të shumtë iu bashkuan mesditën e sotme protestës së thirrur nga Sindikatat, e cila është mbështetur fort nga Partia Demokratike. Ashtu siç ishte paralajmëruar marshimi ka nisur rreth orës 12:00 nga sheshi "Skënderbej" në kryeqytet, për tu ndalur në bulevardin përpara godinës qeveritare.

Protestues nga e gjithë Shqipëria zbritën sot në shesh për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë, rritjen e taksave, papunësinë, varfërinë, rritjen e pasigurisë në vend etj.

Në momentin që kryetari demokrat Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Berisha iu bashkuan protestuesve, marshimi u zhvendos përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", duke u ndalur përpara Kryeministrisë. Në krye të turmës mbahej një pankartë ku shkruhej: “Duam punë dhe dinjitet”.

Por ndërsa sheshi përpara zyrës së tij ishte mbushur me qytetarë të pakënaqur nga qeverisja aktuale, kryeministri Edi Rama ndodhej në tunelin antiatomik të kohës komuniste, i cili u hap sot për vizitorët.

Protesta ka nisur me fjalimet e qytetarëve të thjeshtë, të cilëve u është shembur shtëpia e hipotekuar pa paralajmërim, janë të papunë dhe nuk mbajnë dot familjen, apo nuk përballojnë dot faturat e shkollës. Pas tyre, fjalën e mori kreu i PD-së Lulzim Basha i cili mbylli edhe protestën e 22 nëntorit. 

GEZIM KALAJA: RAMA MBAJ ANGAZHIMET, REFLEKTO OSE LARGOHU
Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Gezim Kalaja i bëri thirrje kryeministrit Rama që të mbajë angazhimet e 23 qershorit dhe të dëgjojë zërin e qytetarëve të cilët i ka zhytur në mjerim.

“Si kjo protestë është parë vetëm në vitin 1991, ku janë mbi 200 mijë pjesëmarrës të opozitës, sindikalistë, punonjës, qytetarë. Shiko popullin e ke çuar në mjerim. Unë sot në emër të anëtarëve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura shqiptare kërkoj: mbaji angazhimet e 23 qershorit. Ndalo rritjen e çmimit të energjisë, ndalo reformën selektive në arsim, reflekto ose largohu”- deklaroi Kalaja.

RAMA NË BUNKER, SHESHI PËRPARA ZYRËS SË TIJ MBUSHET ME PROTESTUES foto e protestes
Kur sheshi përpara zyrës së tij është mbushur me qytetarë të pakënaqur nga qeverisja aktuale, kryeministri Edi Rama ndodhet në tunelin antiatomik të kohës komuniste, i cili është hapur sot për vizitorët. 

POLICIA E SHTETIT: NUK ESHTE NDALUR ASNJË PROTESTUES
Ora 12:20 -
Policia e Shtetit, sqaron opinionin publik se, lajmet e publikuara në disa media mbi ndalimin nga policia të qytetarëve pjesëmarrës në tubimin e organizuar nga PD, për mungesë të dokumentacionit të identitetit, nuk janë të vërteta.

“Nga strukturat e Policisë së Shtetit në asnjë rast nuk është ndaluar apo penguar ndonjë qytetar, për të marrë pjesë në këtë tubim, për këtë shkak apo edhe për shkaqe të tjera. Policia e Shtetit garanton qytetarët se janë marrë të gjitha masat për të siguruar mbarëvajtjen e tubimit.”- thekson policia.

PROTESTUESIT MBLIDHEN NE SHESHIN “SKENDERBEJ”, PRITET MARSHIMI Protesta e pd
Ora 11:56 -
Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, në pritje për të nisur marshimin drejt godinës qeveritare, për të kërkuar uljen e çmimit të energjisë, uljen e taksave, mosmiratimin e buxhetit 2015, papunësisë, varfërisë, rritjes së pasigurisë në vend etj.

PROTESTUES NGA RRETHET NISEN DREJT TIRANES
Ora: 08:35 -
Protestuesit e rretheve, të cilët do t’i bashkohen protestës në Tiranë, janë nisur me autobusë të shoqëruar nga krerët lokalë të PD-së si dhe deputetët e zonave respektive. Mësohet se nga Dibra janë nisur rreth 1500 persona, ndërsa 250 protestues të tjerë po udhëtojnë me autobusa e makina personale nga Berati drejt kryeqytetit. Protestës do t’i bashkohen edhe 1500 qytetarë nga Shkodra. Ndërkohë qytetarë të shumtë po udhëtojnë drejt Tiranës me autobusë, furgona e makina personale nga Korça, Fieri e qytete të tjera të vendit. 

PROTESTA, JA AKSET QË DO TE BLLOKOHEN
oRA 08:00 -
Policia e Tiranës ka publikuar një ditë më parë masat e marra për ruajtjen e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas protestës së Partisë Demokratike, që parashikohet të nisi sot në orën 12:00. 

Sipas një komunikate për shtyp, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka marrë të gjitha masat për rendin e sigurinë për zhvillimin normal të marshimit protestë dhe duke filluar nga ora 10.00 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në sheshin “Skënderbej”, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin “Nënë Tereza”. 

Do të bllokohet totalisht qarkullimi i mjeteve duke filluar nga 11.00 deri në orën 16.00 të ditës së sotme dhe nuk do të lejohet parkimi në sheshin “Skënderbej”, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Nënë Tereza” si dhe Sheshin “Italia”.
Policia e kryeqytetit ka marrë të gjitha masat për zhvillimin normal të marshim – protestës para, gjatë dhe në përfundim të këtij aktiviteti politik.

BASHA: MISION I MADH. BERISHA: DITA E FITORES NDAJ KLIKËS NË PUSHTET
Ora 07:00 -
Një ditë para protestës, kreu demokrat Lulzim Basha gjatë një takimi me të rinjtë demokrat u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që t'i bashkohen protestës së 22 nëntorit. "Protesta ka mision të madh të bashkojë zërin e opozitës me zërin e grupeve të interesit, sindikatave dhe zërin e rinisë për t'i thënë jo rritjes së çmimit të energjisë, jo rritjes së taksave, jo rritjes së tarifave për studentët, jo shtetit policor, por punë dhe luftë kundër krimit e korrupsionit e barazi për të gjithë shqiptarët. Ti themi jo buxhetit të 2015-ës të qeverisë Rama-Meta",- nënvizoi Basha. Më tej ai theksoi se kudo ndihet mjerimi dhe akuzat për gjendjen e rëndë në të cilën po kalojnë shqiptarët. 

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha ftoi dje të gjithë qytetarët shqiptarë që të protestojnë sot kundër varfërisë, dhunimit e mashtrimit të qeverisë Rama. "Të protestojmë kundër varfërimit, dhunimit dhe mashtrimit tonë që ne nuk i meritojmë. Të gjithë në protestën tonë mbarëpopullore. Nesër (sot) dita e fitores sonë mbi klikën në pushtet që po rrënon shqiptarët çdo ditë!", - shkruan Berisha në "Facebook". 

(er.nu/BalkanWeb)


Rama: Mos gënjejmë veten, nuk ka zhvillim pa mund Berisha: Mbi 250 mijë qytetarë në shesh, protesta më e madhe që ka njohur TiranaFOTO

Article source: http://www.balkanweb.com/notizia.php?IDNotizia=223757